Studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare pritet të mblidhen sot në Shkup për të protestuar kundër mosrealizimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Reagimi vjen pasi provimi është organizuar vetëm në gjuhën maqedonase, pavarësisht se gjuha shqipe ka status zyrtar në Maqedoninë e Veriut.
Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar çështjen si një betejë për dinjitet, barazi dhe respektim të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe proceset profesionale.
Tubimi do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa protesta do të nisë në ora 16:30 pranë Ura e Gurit.
“Në mbrojtje të gjuhës sonë, të gjithë bashkë para Urës së Gurit”, thuhet në thirrjen publike të studentëve.
Mbështetje për protestën ka shprehur edhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, i cili u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që të solidarizohen dhe të marrin pjesë në organizim.
Protesta pritet të sjellë në vëmendje debatin mbi përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore në Maqedonia e Veriut, veçanërisht në proceset arsimore dhe profesionale që prekin komunitetin shqiptar.














