Advertisement

Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.

Berisha deklaroi se Rama është “një gangrenë”, duke iu referuar edhe një artikulli të publicistit amerikan Michael Rubin.

Reklame

“Çdo ditë e më shumë bëhet botërisht e qartë se Edi Rama është një gangrenë, siç shprehet sot një publicist i mirënjohur për të, Michael Rubin, një gangrenë që duhet hequr sa më parë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, procesi i integrimit europian të Shqipërisë po mbahet peng nga qeveria dhe ajo që ai e quajti “organizatë kriminale”.

“Ky proces, siç faktohet çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë, me kreun e saj të Meduzës, Edi Ramën”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha tha se integrimi në Bashkimin Europian është projekti më i rëndësishëm për shqiptarët, por sipas tij, qeveria nuk ka interes për përmbushjen e standardeve europiane.

Ai akuzoi mazhorancën për lidhje me krimin, korrupsion dhe cenim të votës së lirë, ndërsa shtoi se procesi i integrimit kërkon respektim të lirive themelore, funksionimin e ekonomisë së tregut dhe sundimin e ligjit.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se opozita do të vijojë të qëndrojë, sipas tij, “si zëri i ndërgjegjes së kombit”, pavarësisht presioneve politike.

Reklame