Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kryetarët e bashkive në Kuç të Vlorës, në një takim ku në fokus pritet të jetë Reforma Territoriale dhe ndryshimet e propozuara nga mazhoranca.
Takimi ka nisur rreth orës 12:00, në një prej lokaleve në zonën Kuç-Qeparo. Në mbledhje pritet të marrin pjesë kryetarë të bashkive, ndërsa sipas burimeve mund të jenë të pranishëm edhe drejtues të bashkive që pritet të shkrihen ose të bashkohen në kuadër të reformës së re territoriale.
Reforma Territoriale ka shkaktuar debate të forta politike dhe kundërshtime nga opozita dhe përfaqësues të komuniteteve lokale, të cilët kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si do të përcaktohet harta e re administrative.
Ndërkohë, zhvillimi i takimit në Kuç është shoqëruar me protesta. Qytetarë dhe kundërshtarë të reformës kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për riorganizimin territorial të vendit.
Protestuesit kundërshtojnë ndryshimet e pritshme në hartën administrative dhe kërkojnë që vendimmarrja për bashkitë të mos bëhet pa konsultim të gjerë me komunitetet lokale.
Takimi i kryeministrit me kryebashkiakët pritet të jetë pjesë e procesit të diskutimeve për reformën e re, ndërsa ende pritet të qartësohen propozimet konkrete për numrin e bashkive dhe mënyrën e organizimit të tyre.
Lexo edhe:
Rama: “Serbia e humbi Kosovën”, reagimet nga Prishtina më konfirmojnë se qëndrimi im ka qenë i saktë
Berisha: Sondazhet e fundit tregojnë rënie të PS në 29%, Rama qëndron nën partinë














