Advertisement

Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një servisi celularësh në zonën e Babrrusë, pas një konflikti me pronarin e biznesit.

Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, kur i riu Rejsi Muça dyshohet se, pas një debati për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë automatike në drejtim të biznesit.

Reklame

Si pasojë e të shtënave janë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të servisit, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan operacionin policor të koduar “Zbulimi”, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Sipas Policisë, 18-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes.

Gjatë kontrollit të zonës, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan armën automatike të dyshuar të përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.

Reklame