Gjykata Kushtetuese nuk do të shqyrtojë në seancë plenare kërkesën e Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi dënimin e tij me 2 vite burg.
Laho pretendonte se vendimi i Kolegjit Penal ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe kërkonte rigjykimin e çështjes. Me moskalimin e kërkesës për shqyrtim në seancë plenare, dënimi i tij mbetet në fuqi.
Më 23 korrik 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi vendimin për çështjen e tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë në Gjirin e Lalzit, duke e dënuar Lahon me 3 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 2 vite burg. Ai u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet e SPAK për tjetërsimin e pronave në Durrës
Në qershor të këtij viti, SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim çështjen ndaj Aleksandër Lahos dhe shtatë personave të tjerë, të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar të tjetërsimit të pronave shtetërore në Durrës.
Sipas SPAK, hetimet kanë evidentuar një grup të strukturuar kriminal, ku, sipas akuzës, përfshiheshin Laho, vëllai i tij Vullnet Muça dhe zyrtarë të Kadastrës.
Aleksandër Laho akuzohet se i ka dhënë Irgen Kërçukut, zyrtar në Avokaturën e Shtetit, 600 mijë lekë dhe i ka premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, me qëllim që ky i fundit të mos apelonte një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Padia për këtë çështje ishte depozituar nga Pal Seçuni, i cili kishte kundërshtuar vendimet e Hipotekës së Durrësit lidhur me tjetërsimin e pronës.
Emri i tij u përmend edhe në atentatin ndaj Arjan Ndojës
Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe në çështjen e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, në vitin 2019, ku Laho mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Në atë kohë, atij iu sekuestrua telefoni, ku, sipas raportimeve për çështjen, u gjet një video në të cilën komunikonte me një zyrtar të Avokaturës së Shtetit lidhur me rastin korruptiv.
Lexo edhe
Studentët në protestë, biznesi del në krah të tyre. Thirrja: Të shtunën ulni qepenat
Protesta studentore, dita e 11-të para Kryeministrisë! Nesër pritet tubim kombëtar














