Në Gjykatën Administrative të Tiranës u zhvillua këtë të premte seanca e radhës për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit Ols Dado. Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshme të emërimit të Dados si prokuror në vitin 2008, duke pretenduar se ai nuk ka përfunduar Shkolla e Magjistraturës.
Kryebashkiaku ishte i pranishëm në sallë dhe kërkoi që seanca të transmetohej live, me argumentin se “është në interesin maksimal që çdo gjë të jetë transparente”. Kërkesa u kundërshtua nga mbrojtja e Dados dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa gjykata vendosi vetëm regjistrimin e pjesshëm të procesit.
Në seancë morën pjesë në mbështetje të Veliajt edhe aktorët Robert Ndrenika dhe Gaz Paja.
KLP kërkon moslegjitimimin e Veliajt si palë paditëse
Gjatë seancës, KLP kërkoi që Veliaj të mos legjitimohet si palë paditëse në këtë proces. Kryebashkiaku reagoi ashpër ndaj këtij qëndrimi, duke deklaruar se po tentohet t’i mohohet e drejta për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që ka ushtruar pushtet penal ndaj tij.
“Qytetari mund të hetohet, survejohet, arrestohet dhe t’i ndërpritet mandati, por nuk paska të drejtë të pyesë kush po e përdor këtë pushtet kundër tij dhe me çfarë legjitimiteti”, deklaroi Veliaj para trupit gjykues.
Ai iu referua edhe juristit amerikan Benjamin Cardozo, duke thënë se drejtësia humbet kuptimin kur qytetari mbetet i pambrojtur përballë pushtetit.
“Po tentohet të shmanget shqyrtimi në themel”
Sipas Veliajt, pala e paditur nuk kërkon një përballje reale me pretendimet e tij, por synon që gjykata të mos shqyrtojë fare themelin e çështjes.
Ai tha se ndaj tij është ushtruar një pushtet i gjerë penal, që ka përfshirë përgjime, kontrolle dhe hetime mbi jetën personale e familjare, ndërsa tani po i mohohet e drejta për të verifikuar ligjshmërinë e këtij autoriteti.
“Pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi të”, u shpreh ai.
Veliaj: “Jam nën sulm prej dy vitesh”
Në deklaratën e tij para gjykatës, Veliaj tha se prej më shumë se dy vitesh është përballur me një “sulm frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik”, që sipas tij kulmoi me heqjen e lirisë personale dhe pamundësinë për të ushtruar mandatin e kryebashkiakut.
Ai pretendoi se ndaj tij dhe familjes së tij është ushtruar një formë “vettingu penal”, duke shtuar se ka bashkëpunuar në çdo moment me drejtësinë.
“Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime personale dhe familjare. Megjithatë, kam qenë i gatshëm të përballem me procesin dhe me të vërtetën”, deklaroi ai.
Akuza për mungesë aksesi në dosje dhe përgjime
Veliaj ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën se si po zhvillohet procesi penal ndaj tij, duke pretenduar se nuk ka akses të plotë në dosje dhe në materialet hetimore.
Sipas tij, nuk i lejohet të dëgjojë të gjitha përgjimet e kryera, nuk ka komunikim të plotë me avokatët ndërkombëtarë dhe nuk mund të informojë publikun mbi çështjen.
“Nuk kërkohet vetëm kufizimi i lirisë sime fizike, por edhe kufizimi i mundësisë sime për t’u mbrojtur efektivisht”, tha Veliaj.
“E di gjithë Shqipëria që Ols Dado nuk është prokuror”
Në fund të deklaratës së tij, Veliaj tha se procesi ndaj Dados është “ngritur në errësirë” dhe pretendoi se “e di gjithë Shqipëria tashmë që Ols Dado nuk është prokuror”.
Ai akuzoi KLP-në se ka shmangur përgjegjësinë institucionale për verifikimin e emërimit të Dados, ndërsa shtoi se edhe Presidenca, sipas tij, ka pranuar ekzistencën e një gabimi të kryer vite më parë.














