Shkrimtari dhe studiuesi Azgan Haklaj pritet të sjellë së shpejti librin e tij të 16-të, me titull “Eposi i Kreshnikëve – Investigime dhe Refleksione”, një vepër që i kushtohet një prej pasurive më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore shqiptare.

Libri synon të sjellë një qasje studimore, reflektuese dhe investiguese mbi Eposin e Kreshnikëve, duke e trajtuar atë jo vetëm si një trashëgimi folklorike, por edhe si një element të rëndësishëm të kujtesës, identitetit dhe kulturës shqiptare.

Reklame

Në parathënien e librit, Haklaj e përshkruan Eposin e Kreshnikëve si një “sagë të fuqishme legjendare”, ku ndërthuren kënga, poezia, mitologjia dhe antropologjia.

Sipas tij, Eposi mbetet një monument i gjallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një burim i rëndësishëm frymëzimi për letërsinë dhe artet.

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet edhe ruajtjes dhe promovimit ndërkombëtar të kësaj trashëgimie, veçanërisht përmes UNESCO-s.

Haklaj ngre shqetësimin se Eposi Shqiptar ende nuk është pjesë e UNESCO-s dhe e konsideron këtë një detyrim të rëndësishëm kulturor për institucionet shqiptare dhe ato të Kosovës.

Një lidhje personale me Eposin

Në parathënie, autori rrëfen edhe marrëdhënien e tij personale me këngët e Kreshnikëve.

Ai kujton fëmijërinë në Malësinë e Gjakovës, netët e dimrit në kullë dhe këngët e shoqëruara me lahutë, ku personazhet e Eposit si Muja, Halili, Omeri, Ajkuna, Tanusha dhe Gjergj Elez Alia u bënë pjesë e imagjinatës së tij.

Kjo lidhje, sipas autorit, e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës dhe është ndër arsyet që e ka shtyrë drejt këtij kërkimi.

Haklaj sjell në libër edhe përvojën e tij artistike, duke kujtuar interpretimet e valleve me motive nga Cikli i Këngëve të Kreshnikëve në skena kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një kërkim përtej folklorit

“Eposi i Kreshnikëve – Investigime dhe Refleksione” synon të shkojë përtej një trajtimi tradicional të Eposit, duke e parë atë përmes historisë, antropologjisë, kulturës dhe identitetit.

Autori paralajmëron se libri do të përfshijë faktologji, dokumentacion, studime reflektuese, investiguese dhe krahasuese, duke e konsideruar kërkimin mbi Eposin si një proces të hapur.

“Dosja për Eposin Shqiptar do të mbetet një dosje e hapur”, shkruan Haklaj, duke nënvizuar se studimi i kësaj trashëgimie nuk mund të konsiderohet i përfunduar.

Libri shënon kështu një tjetër etapë në krijimtarinë e Azgan Haklajt dhe vjen si një përpjekje për të rikthyer në vëmendjen publike rëndësinë e Eposit të Kreshnikëve, si pjesë e kujtesës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Lexo edhe:

I doli emri 700 herë në dosjet e Epsteinit, Franca nis hetimin ndaj ish-ministrit të Kulturës

Zerqan/ Do të restaurohet shtëpia monument kulture, pritet të kthehet në muze

Reklame