Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me debatet e fundit në PD, duke deklaruar se deputeti Ervin Salianji nuk është përjashtuar, por është vetëpërjashtuar nga partia.

Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se qëndrimi i deputetes Jorida Tabaku është thjesht shprehje e mendimit të saj personal dhe se kjo është diçka normale në një forcë politike.

Reklame

Sipas tij, rasti i Salianjit lidhet me shkelje të statutit të partisë. “Nuk është përjashtuar, është vetëpërjashtuar. Vetëpërjashtimi ndodh kur shkel në mënyrë flagrante rregullat e partisë”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se Salianji nuk ka pasur funksione të rëndësishme në strukturat drejtuese të PD-së dhe se pas daljes nga burgu ishte kooptuar përkohësisht në Kryesi, por sipas tij, “tregoi se nuk ishte i denjë”.

Në fund, Berisha theksoi se Partia Demokratike ka një qëndrim të prerë ndaj çdo bashkëpunimi me krimin: “Nuk e falim në asnjë rast”.

Reklame