Protesta e opozitës në Tiranë është shoqëruar këtë të diel, 29 nëntor 2026, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ndërhyrje për shpërndarjen e turmës. Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, mbeti i plagosur gjatë tensioneve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa më pas u transportua me ambulancë drejt spitalit.

Tubimi nisi në mesditë në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarë dhe mbështetës të opozitës u mblodhën me flamuj dhe pankarta. Pas qëndrimit në shesh, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, duke vijuar protestën kundër qeverisë së Edi Ramës.

Reklame

Kërkesat kryesore të protestuesve mbeten largimi i kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Përplasjet para Kryeministrisë, policia përdor gaz lotsjellës

Situata u tensionua pas mbërritjes së protestuesve pranë godinës së Kryeministrisë. Disa prej tyre hodhën gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ndërhyri për të shpërndarë turmën.

Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për ndërhyrje, ndërsa përplasjet vijuan në bulevard dhe më pas në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Pamjet e transmetuara gjatë protestës treguan forca të shumta policie që lëviznin drejt protestuesve, ndërsa në disa momente pati edhe përplasje fizike. Në video të shpërndara nga protesta shfaqen efektivë që rrethojnë dhe shoqërojnë një të ri, duke përdorur forcë fizike ndaj tij.

Gjatë zhvillimeve u raportuan edhe shoqërime protestuesish,nga ana e policise.

Plagoset deputeti Kliti Hoti, dyshohet se u qëllua me plumb gome

Një nga incidentet më të rënda të protestës ishte plagosja e deputetit të Partisë Demokratike, Kliti Hoti.

Gjatë përplasjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Hoti u rrëzua në tokë pasi dyshohet se u godit me plumb gome në shpinë. Protestuesit dhe personat që ndodheshin pranë tij i dhanë ndihmën e parë, ndërsa pak minuta më vonë mbërriti ambulanca që e transportoi drejt spitalit.

Pamjet e publikuara nga mediat treguan momentin kur deputeti përfundoi në tokë dhe u ndihmua nga personat përreth.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, e vizitoi Hotin në spital dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi politike lidhur me ngjarjen. Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi nga Prokuroria e Tiranës arrestimin e efektivit që, sipas tij, qëlloi deputetin.

Policia pezullon efektivin, nis hetimi nga AMP dhe Prokuroria

Pas incidentit, Policia e Shtetit reagoi zyrtarisht duke njoftuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorit Ersild Alliu, efektivit që goditi deputetin.

Sipas deklaratës së Policisë, punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome. Ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, bazuar në pamjet filmike dhe faktet e administruara.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Policia theksoi se asnjë akt dhune apo provokim nga protestuesit nuk mund të justifikojë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e saj.

12 të lënduar gjatë protestës së sotme

Sipas raportimit të Reuters, autoritetet kanë raportuar 12 persona të lënduar gjatë protestës së 29 nëntorit. Kjo shifër i përket tubimit të së dielës dhe duhet dalluar nga bilanci i protestës së një dite më parë.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë publikoi edhe një përditësim për protestën e 28 nëntorit. Sipas të dhënave të saj, 61 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në dy strukturat spitalore, ndërsa pesë prej tyre vijonin të ishin të shtruar në Spitalin e Traumës.

Protesta vijon mes tensioneve politike

Zhvillimet e 29 nëntorit vijnë një ditë pas protestës kombëtare të 28 nëntorit, e cila u shoqërua me përplasje, dëmtime të pronës publike dhe përdorim të gazit lotsjellës e ujit me presion nga policia.

Për protestën e 28 nëntorit, Policia njoftoi se kishte arrestuar 12 persona dhe kishte proceduar penalisht 19 të tjerë, të dyshuar për akte dhune, kundërshtim të punonjësve të policisë, përdorim të mjeteve piroteknike dhe dëmtim të pronës.

Përplasja mes protestuesve dhe policisë, plagosja e deputetit Kliti Hoti dhe pezullimi i efektivit që e qëlloi e kanë vendosur sërish protestën në qendër të zhvillimeve politike në vend.

Lexo edhe

12 të lënduar gjatë protestës në Tiranë, mes tyre 2 efektivë policie dhe një deputet

70 protestues të plagosur! Berisha: “PD do të përballet dhëmb për dhëmb me Ramën, o sot o kurrë”

Reklame