Banorët e disa fshatrave të njësisë administrative Thumanë kanë zhvilluar një protestë këtë të shtunë në rrugën e fshatit Gramzë, duke bllokuar për rreth një orë qarkullimin e automjeteve.

Protestuesit bllokuan aksin që lidh autostradën Thumanë–Kashar pranë Gramzës, në shenjë revolte ndaj gjendjes së rënduar të rrugës. Sipas banorëve, një segment prej rreth 500 metrash është kthyer në një makth të përditshëm për drejtuesit e automjeteve për shkak të amortizimit të rëndë.

Reklame

Banorët shprehen se prej kohësh kanë kërkuar ndërhyrje nga institucionet, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë për rikonstruksionin e rrugës.

Ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, deri në momentin kur të nisë rikonstruksioni i plotë i këtij segmenti.

Në mbështetje të protestuesve ishte edhe aktivisti i shoqërisë civile, Aulon Kalaja, i cili u bashkua me banorët gjatë protestës.

Ndërkohë, përveç protestës, banorët kanë ndërmarrë edhe hapa ligjorë, duke depozituar një peticion në gjykatë dhe në prokurori, me qëllim që institucionet përgjegjëse të detyrohen të ndërhyjnë për zgjidhjen e problemit.

Reklame