Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian,Riho Terras e ka cilësuar si “hap prapa” dështimin e Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.
Reagimi i tij vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se deputetët dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit.
Seanca e fundit e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare. Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollcaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka kundërshtuar dekretin e Osmanit, duke e cilësuar atë si “akt të paprecedent” që bie ndesh me rendin kushtetues. Zyrtarët e saj kanë thënë se vendi ka afat 60-ditor për ta zgjedhur presidentin dhe kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, Osmani ka zhvilluar takim me krerët e partive politike, ku nuk morën pjesë krerët e LVV-së, për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme./REL















