Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një thirrje publike për mbështetjen e artistit shqiptar Alis, i cili do të garojë në Vjenë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision Song Contest 2026.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka ftuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit të votojnë për këngën shqiptare “Nan”.
“Le të mbështesim artistin dhe përfaqësuesin tonë në Eurovision, Alis, dhe ta bëjmë zërin shqiptar të dëgjohet në gjithë Europën dhe më gjerë”, shkroi Rama.
Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve anembanë botës të votojnë numrin 13, duke publikuar edhe kodet përkatëse sipas shteteve dhe mënyrës së televotimit.
Alis do të ngjitet në skenën e Eurovisionit me këngën “Nan”, një baladë me mesazh emocional dhe prekës mbi figurën e nënës në familjen shqiptare.
Shqipëria do të konkurrojë sonte përkrah 14 shteteve të tjera, mes tyre Bullgaria, Azerbajxhani, Rumania, Luksemburgu, Çekia, Armenia, Zvicra, Qiproja, Letonia, Danimarka, Australia, Ukraina, Malta dhe Norvegjia.
Publiku shqiptar jashtë vendit mund të mbështesë Alis duke votuar numrin 13 gjatë kohës kur televotimi të shpallet i hapur në transmetimin live të gjysmëfinales. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në vende jopjesëmarrëse mund të votojnë online përmes platformës zyrtare të Eurovisionit.















