Policia e Durrësit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy autorët e dyshuar të vrasjes së 45-vjeçarit Denis Çumani, ngjarje e ndodhur në janar të këtij viti në Shijak.
Në pranga kanë rënë shtetasit Indrit Ferra, 38 vjeç, dhe Dorian Ferra, 36 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin dhe banues në Shijak.
Sipas njoftimit të policisë, dy të arrestuarit ishin shpallur në kërkim pasi dyshohet se më 27 janar 2026 janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. Ç., 45 vjeç, të cilin e kanë qëlluar me armë zjarri.
45-vjeçari Denis Çumani mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në spital, por për shkak të plagëve të marra humbi jetën disa ditë më vonë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Dy kushërinjtë akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.















