Tajvani ka reaguar me një deklaratë zyrtare ndaj komenteve të bëra nga Kina pas takimit mes Xi Jinping dhe Donald Trump.
Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme e Tajvanit deklaroi se “Kina nuk ka të drejtë të përfaqësojë Tajvanin në ngritjen e ndonjë pretendimi në skenën ndërkombëtare”.
Sipas deklaratës, Pekini prej kohësh ka intensifikuar aktivitetet ushtarake dhe presionin në rajon.
“Kina ka vazhduar prej kohësh të kryejë aktivitete të ndryshme ngacmimi dhe kërcënime ushtarake në Detin e Kinës Lindore, Detin e Kinës Jugore, Ngushticën e Tajvanit dhe zonat përreth Tajvanit”, thuhet në reagim.
Autoritetet tajvaneze shtuan se edhe gjatë zhvillimit të takimit mes udhëheqësve amerikanë dhe kinezë, ushtria kineze vijoi aktivitetet ushtarake pranë ishullit.
“Edhe ndërsa udhëheqësit e SHBA-së dhe Kinës po takoheshin, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës vazhdoi të dërgonte aeroplanë dhe anije ushtarake për të ngacmuar dhe kërcënuar zonat përreth Ngushticës së Tajvanit”, deklaroi ministria.
Në qëndrimin e saj, Tajvani e cilësoi Kinën si “burimin e vetëm të rrezikut për paqen dhe stabilitetin rajonal” në situatën aktuale.
“Tajvani, si një anëtar i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare, do të vazhdojë të punojë ngushtë me SHBA-në dhe vendet me të njëjtat mendime për të mbrojtur së bashku paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ngushticën e Tajvanit, si dhe lirinë, hapjen dhe prosperitetin e rajonit Indo-Paqësor”, përfundon deklarata zyrtare.














