Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sigurinë ushqimore si një nga sfidat më të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.
Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama pranoi në mënyrë indirekte se deri më tani progresi në këtë drejtim ka qenë kryesisht formal, pa një sistem plotësisht funksional kontrolli që garanton cilësinë e produkteve ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit.
Ai theksoi se për Brukselin nuk mjafton më vetëm përputhja e legjislacionit me standardet europiane, por kërkohen rezultate konkrete në terren. “Letrat nuk pijnë më ujë”, u shpreh kreu i qeverisë, duke nënvizuar nevojën për zbatim real të rregullave.
Sipas Ramës, sfida lidhet me ndërtimin e një sistemi të plotë që garanton siguri, cilësi dhe besim, nga prodhimi i lëndës së parë deri te produktet e paketuara për konsum.
Ai theksoi se procesi i integrimit shpesh keqkuptohet si një listë detyrash për t’u përmbushur, ndërkohë që në thelb lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve dhe me përgatitjen e vendit për tregun e përbashkët europian.
Deklaratat e Ramës vijnë pak ditë pasi ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se vendi duhet të tregojë progres real në terren dhe jo vetëm në dokumente.
Kryeministri shtoi se qeveria do të intensifikojë bashkëpunimin me sipërmarrjet në bujqësi dhe industrinë ushqimore, për të garantuar që çdo produkt që del në treg të përmbushë standardet e kërkuara dhe të jetë konkurrues në tregun europian.














