Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të marrë më shumë kohë në shqyrtimin e çështjes së pagave të magjistratëve, kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër, duke rritur tonet ndaj sistemit të drejtësisë.

Në një deklaratë publike, Rama sulmon drejtpërdrejt vendimet gjyqësore që, sipas tij, kanë favorizuar ish-magjistratë të larguar nga vetingu, duke i cilësuar si “llum i pastruar nga vetingu” që po trajtohen financiarisht si viktima.

Reklame

Sipas kreut të qeverisë, deri më tani gjykatat kanë dhënë 92 vendime në favor të tyre, duke krijuar një faturë prej rreth 12 milionë eurosh për buxhetin e shtetit.“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!”

Rama shkon më tej, duke theksuar se disa prej këtyre vendimeve janë shoqëruar me urdhra ekzekutimi edhe pa marrë formë të prerë në Gjykatën Administrative të Apelit. Sipas tij, kjo ka detyruar Institutin e Sigurimeve Shoqërore që të kryejë pagesa nga fondi i pensioneve.“Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë, duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat!”

Kryeministri paralajmëron se lista e përfituesve mund të zgjerohet, duke shtuar se shuma prej 12 milionë eurosh mund të rritet edhe më tej, ndërsa dosjet vijojnë të shqyrtohen.

Në përfundim, Rama e cilësoi situatën si një “pavarësi të papërgjegjshme”, në një reagim që pritet të ndezë sërish debatin mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, në një moment delikat për çështjen e pagave të magjistratëve dhe balancën mes pushteteve.

Pagat e magjistratëve/  Rama: Ka 92 raste ku llumi i pastruar nga vetingu

Reklame