Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një tjetër nismë të qeverisë, të cilën e ka pagëzuar “Shkalla e Meritës”. Platforma e re i bashkohet nismave të prezantuara më herët nga qeveria dhe Partia Socialiste, mes tyre “Besa”, “Prania Besnike” dhe “PasqyrAlbania”.
Në fjalën e tij para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të qeverisë, Rama e cilësoi sistemin e ri si pjesë të një reforme më të gjerë për marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit.
Sipas kryeministrit, qëllimi nuk është krijimi i një tjetër aplikacioni, por ndërtimi i një sistemi të ri komunikimi dhe transparence.“Besa, Prania Besnike, PasqyrAlbania dhe Shkalla e Meritës si dhe i tërë sistemi i ri i komunikimit të shtetit dhe partisë janë komponentët e një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet”, tha Rama.
Ai tha se reforma do të fokusohet në katër pika kryesore: mënyrën se si shteti identifikon problemet, mënyrën se si shumica qeverisëse dëgjon qytetarët, mbajtjen e premtimeve dhe hapjen e shërbimit publik ndaj meritës.
“PasqyrAlbania”, qytetari si mbikëqyrës i shtetit
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ramës iu kushtua edhe platformës “PasqyrAlbania”.
Kryeministri tha se qytetari përmes kësaj platforme duhet të ketë mundësi të kontrollojë dokumentet dhe të dhënat që lidhen me punët publike.
Sipas tij, qytetari nuk duhet të mbështetet vetëm te deklaratat e qeverisë apo te informacioni që merr nga media, por duhet të ketë akses te dokumentet që tregojnë se çfarë po ndodh me një projekt apo proces konkret.“PasqyrAlbania do të jetë vendi ku qytetari mund t’i referohet vetë çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij”, u shpreh Rama.
Ai solli si shembull rastet kur në media qarkullojnë pretendime për probleme me një rrugë, një projekt apo një investim publik.
Sipas kryeministrit, në vend që qytetari të përballet vetëm me deklarata apo kundërdeklarata, duhet të ketë mundësi të shohë dokumentet, procesverbalet, ekspertizat, arsyet e vonesave dhe personat përgjegjës.
“Nga viktimë potenciale e informacionit, në mbikëqyrës të shtetit”
Rama e përshkroi këtë si një ndryshim të rolit të qytetarit në raport me administratën.“Kjo e ndryshon plotësisht pozitën e qytetarit nga një viktimë potenciale e informacionit te një mbikëqyrës i shtetit”, tha ai.
Sipas tij, dokumentet dhe përgjegjësitë duhet të jenë të aksesueshme në mënyrë që qytetari të mund të verifikojë vetë informacionin.
Rama argumentoi se një sistem i tillë do të ndihmonte edhe në luftën ndaj dezinformimit, pasi qytetari do të kishte mundësi të kontrollonte drejtpërdrejt bazën dokumentare të një vendimi apo investimi publik.
Katër nisma në një sistem të ri
Me prezantimin e “Shkallës së Meritës”, Rama i referohet tashmë një pakete prej katër nismash: “Besa”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania” dhe “Shkalla e Meritës”.
Sipas kryeministrit, këto nuk duhen parë si iniciativa të shkëputura, por si pjesë e një sistemi të ri komunikimi mes qytetarit, shtetit dhe Partisë Socialiste.
Mbetet për t’u parë se si do të funksionojë konkretisht “Shkalla e Meritës”, cilat do të jenë mekanizmat e saj dhe si do të zbatohet në administratën publike.
Po ashtu, rëndësi do të ketë mënyra se si do të ndërtohet “PasqyrAlbania” dhe nëse qytetarët do të kenë realisht akses të plotë te dokumentet, procesverbalet, të dhënat financiare dhe përgjegjësitë institucionale për projektet publike.
Nismat e reja pritet të konkretizohen në vijim përmes vendimeve dhe mekanizmave përkatës të qeverisë.
Lexo edhe
Rama mbledh sot socialistët dhe qeverinë/ “Prania Besnike” në tryezë, priten lëvizje në kabinet
Rama: Nuk do të ketë më kontrolle rutinë pa paralajmërim, inspektorët do të pajisen me kamera trupi














