Makina që shihni në fotot e mësipërme është automjeti brenda të cilit u gjet i pajetë mëngjesin e sotëm 65-vjeçari Viktor Bardhi, në fshatin Ndërfushas të Mirditës.
Bardhi u gjet rreth orës 09:00 brenda automjetit të tij. Nga këqyrja paraprake e vendngjarjes dyshohet se 65-vjeçari është qëlluar me armë zjarri.
Pamjet tregojnë dëmtime të rënda në xhamin e automjetit, të shkaktuara nga breshëria e plumbave.
Ngjarja rikthen në vëmendje historikun e përplasjeve të përgjakshme në zonën e Mirditës. Viktor Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua në një atentat në Rrëshen në shtator të vitit 2023.
Një nga pistat që po hetohet është ajo e hakmarrjes mes fiseve Bardhi dhe Reçi, por deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar që përcakton motivin e vrasjes.
Në kuadër të hetimeve, një tjetër automjet që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit është gjetur i djegur. Automjeti po këqyret nga grupi hetimor, ndërsa një nga pistat është se djegia mund të ketë pasur qëllim zhdukjen e gjurmëve.
Grupi hetimor ndodhet në terren dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon mbledhjen e provave dhe veprimet hetimore për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Lexo edhe:
“Vrasja që rikthen hijet e 2023-shit/ Ekzekutohet Viktor Bardhi, makina e autorëve gjendet e djegur”














