Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para grupit parlamentar të Partisë Socialiste një dokument të titulluar “Besa”.
Rama tha se e ka zgjedhur këtë emër për të përcjellë një mesazh të ri në marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve.
Sipas tij, vendimet e qeverisë nuk duhet të përjetohen më nga qytetarët si “prerje në besë”. Ai tha se njerëzit nuk duhet të ndihen të padëgjuar, të painformuar apo të papërfillur.
“E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se dokumenti do të diskutohet gjatë periudhës së pushimeve. Ai shtoi se një pjesë e tij do të trajtohet fillimisht në një takim me drejtuesit e komisioneve.
Rama: Debati nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve
Në fjalën e tij, Rama tha se përballja politike nuk duhet të shihet si një konflikt mes qeverisë dhe qytetarëve.
Sipas tij, debati është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë dhe atyre që, sipas tij, kërkojnë një vend të përçarë.
“Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë e të besueshme dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të përçarë dhe pa besim te shteti”, tha Rama.
Kryeministri iu referua edhe protestës së zhvilluar para Kuvendit. Ai përdori sërish simbolikën e flamingove dhe kritikoi opozitën për qëndrimin pranë foltores së Parlamentit.
“Protesta të kthehet në test pjekurie të demokracisë”
Rama tha se mazhoranca duhet të ndërtojë një aleancë të re me qytetarët. Sipas tij, kjo aleancë duhet të mbrojë kritikën dhe të kthejë zemërimin në ndryshim.
Ai theksoi se pyetjet e qytetarëve duhet të shërbejnë si një provë për qeverisjen.
“Protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se dokumenti “Besa” synon të përcaktojë një qasje të re të qeverisë. Ai e lidhi këtë nismë me reflektimet pas protestave të zhvilluara gjatë javëve të fundit.
Rama ndryshon qëndrim për protestat: “Bulevardi i Flamingove” ishte një sfidë për qeverinë
Rama kritikon PS-në: “Mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit është bërë e padurueshme”















