Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të televizionit francez “France 24” lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se pas lëvizjes kundërshtuese ka ndërhyrje të jashtme.

Në intervistën e dhënë për median franceze, Rama u shpreh se protesta është ndikuar nga faktorë të ndryshëm, duke përmendur ndërhyrje nga Irani dhe konkurrentë rajonalë që, sipas tij, nuk e duan zhvillimin e Shqipërisë.

Reklame

“Ka shumë ndërhyrje, qoftë ndërhyrje nga Irani, me të cilin jemi në një luftë kibernetike që prej tri vitesh, ose ndërhyrje nga konkurrentët në të gjithë rajonin që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se, pavarësisht kundërshtimeve, qeveria do të vijojë me projektin, duke argumentuar se ai ka qenë pjesë e premtimeve elektorale.

“Ka edhe shqetësime të një pjese të popullsisë që duan gjëra të ndryshme, por ne u zgjodhëm për të bërë atë që premtuam dhe midis premtimeve është ky projekt”, tha ai.

Kreu i qeverisë bëri edhe një krahasim mes protestave të zhvilluara në Tiranë dhe qëndrimit të banorëve të zonës së Vlorës.

“Është shumë interesante, sepse në Tiranë ka protesta, ndërsa në Vlorë, ku është parashikuar të bëhet projekti, njerëzit e duan atë”, u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur projekti në Zvërnec ka shkaktuar debate të forta politike dhe kundërshtime nga një pjesë e aktivistëve dhe qytetarëve.

Reklame