Pas rreth 10 orësh tensionesh dhe përplasjesh të forta, protesta në Tiranë është mbyllur në orët e vona të së shtunës. Kryeqyteti përjetoi një ditë të trazuar, me gaz lotsjellës, bomba molotov, plumba gome dhe zjarre pranë godinave institucionale e bizneseve private.
Bilanci i kësaj dite është i rëndë. Sipas të dhënave zyrtare nga spitalet e Tiranës, 59 persona kanë marrë ndihmë mjekësore: 34 efektivë të Policisë së Shtetit, 21 protestues dhe 4 kalimtarë të rastësishëm, mes tyre edhe një i mitur.
Përplasjet u përqendruan kryesisht në bulevardin kryesor dhe zonat përreth Kryeministrisë, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa nga ana e protestuesve u raportua hedhja e molotovëve dhe sendeve të forta.
Situata u përshkallëzua edhe më tej me zjarre në disa objekte, automjete dhe biznese, ndërsa pranë Kryeministrisë u angazhuan edhe forcat speciale RENEA.
Pas një dite të gjatë përplasjesh, në kryeqytet ka rënë qetësia, por situata politike dhe pakënaqësia e protestuesve mbeten të pazgjidhura. Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestës të dielën, në ditën e gjashtë të saj.
Lexo edhe
Si duhet të komunikojnë deputetët e PS-së gjatë protestave? Zbulohen udhëzimet e Ramës
Begaj takon dy grupe protestuesish, kërkohet shpërndarja e Parlamentit dhe qeveri tranzitore














