Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër valë rritjeje të çmimit të naftës, duke theksuar se qeveria ka gati masat për të ndërhyrë menjëherë në treg.

Sipas Ramës, në rast se çmimi i karburantit kapërcen nivelin e 220 lekëve për litër, do të aplikohet automatikisht një ulje me 20% e akcizës së naftës, si mekanizëm për të lehtësuar barrën për qytetarët.

Reklame

“Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje. Për çdo ditë që çmimi do të kërcejë mbi 220 lekë, do të ketë menjëherë ulje me 20% të akcizës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se është vënë në lëvizje edhe Bordi i Transparencës për të monitoruar tregun dhe për të frenuar abuzimet, ndërsa shtoi se deri më tani nuk ka një ndikim zinxhir në çmimet e tjera të produkteve.

Një tjetër fokus i qeverisë, sipas Ramës, janë pensionistët, të cilët konsiderohen si shtresa më e prekur nga rritja e çmimeve. Ai siguroi se çdo masë që do të merret do të ketë në qendër mbrojtjen e tyre.

Nga ana tjetër, Rama njoftoi se shumë shpejt pritet krijimi i një entiteti shtetëror që do të ndërhyjë drejtpërdrejt në tregun e naftës. Ky institucion do të merret me garantimin e rezervave, monitorimin në kohë reale të tregut dhe sigurimin e furnizimit, me qëllim parandalimin e spekulimeve.

Në kuadër të luftës ndaj evazionit dhe kontrabandës, kryeministri bëri të ditur se janë drejt finalizimit edhe dy produkte teknologjike për gjurmimin dhe kontrollin e qarkullimit të naftës, të cilat pritet të hyjnë në funksion brenda 1-2 muajve të ardhshëm.

Reklame