Tiranë – Çmimet e konsumit në Shqipëri shënuan një rritje prej 2,3% në janar 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Norma e inflacionit për muajin janar u rrit në 2,3%, nga 1,9% që ishte një vit më parë. Krahasuar me muajin dhjetor 2025, çmimet e konsumit u rritën me 0,4%.

Reklame

Rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur në disa grupe të shpenzimeve. Grupi “argëtim, sport dhe kulturë” shënoi një rritje prej 4,9%, ndjekur nga “qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” dhe “sigurime dhe shërbime financiare”, të dyja me një rritje prej 4,4%.

Edhe grupi “pije alkoolike dhe duhan” regjistroi një rritje të ndjeshme prej 2,7%, ndërsa “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “restorante dhe shërbime akomodimi” u rritën përkatësisht me 2% dhe 2,4%.

Nga ana tjetër, disa grupe regjistruan ulje çmimesh. Grupi “veshje dhe këpucë” shënoi një rënie prej 0,5%.

Analistët theksojnë se rritja e çmimeve në këto kategori reflekton ndikimin e kostove të energjisë, shërbimeve financiare dhe shpenzimeve për argëtim, ndërsa uljet vijnë kryesisht nga sezonimi i shitjeve dhe luhatjet e kërkesës për veshje dhe këpucë.

INSTAT NXJERR SHIFRAT: Çmimet u rritën me 2,3% në janar

Reklame