Teksa u nis sot drejt Yerevanit, Armeni, për Samitin e Komunitetit Politik Europian, kryeministri Edi Rama ndau detaje mbi marrëveshjen strategjike të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqinë, që parashikon furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm natyror për 20 vitet e ardhshme.
Në komunikimin e tij javor, Rama e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të madh drejt sigurisë dhe pavarësisë energjetike të vendit.
“Ishte kjo një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Rama.
Sipas tij, pas investimit për transformimin e TEC-it të Vlorës, centrali që ishte ndërtuar për të punuar me naftë do të përshtatet për funksionim me gaz natyror.
Kryeministri theksoi se Shqipëria do të furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan për një periudhë 20-vjeçare, ndërsa përmes TEC-it të Vlorës do të prodhohet energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për diversifikimin energjetik të vendit.
Rama shtoi se ky projekt do të rrisë ndjeshëm investimet e reja dhe kapacitetin e Shqipërisë për të furnizuar me energji qendra të dhënash, teknologji digjitale dhe projekte të inteligjencës artificiale.
Sipas kreut të qeverisë, Vlora do të shndërrohet në një nyje strategjike energjetike, jo vetëm për përdorimin e gazit, por edhe për eksportin e tij përmes gazsjellësit TAP.
Pjesë e marrëveshjes është edhe ndërtimi i lidhjes me tubacion mes Vlorës dhe Fierit, ku kalon gazsjellësi Trans Adriatik.















