Advertisement

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje opozitës që të ndjekë rrugën kushtetuese nëse kërkon largimin e qeverisë, duke paraqitur një mocion mosbesimi në Kuvend.

Deklarata e Ballës erdhi pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku nuk u arrit dakordësi për zhvillimin e një debati parlamentar lidhur me kërkesat e protestuesve.

Reklame

Sipas tij, nëse opozita pretendon se përfaqëson kërkesat e qytetarëve që protestojnë në Tiranë, atëherë duhet të depozitojë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

“Ju keni marrë përsipër të sillni në Kuvend kërkesën e protestuesve sipas jush, që ju paskan mandatuar. Kjo nuk kërkohet me debat, por me mocion mosbesimi. Mblidhni 28 deputetë dhe sillni kërkesën”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se, sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, një mocion mosbesimi duhet të shoqërohet edhe me propozimin e një kandidati për kryeministër.

Në këtë kuadër, Balla ironizoi opozitën duke pyetur nëse ajo do të propozojë si kandidat për kryeministër kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“E sillni dot Saliun si kandidat për kryeministër?”, u shpreh ai.

Deklaratat e Ballës vijnë në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej javësh në Tiranë, ndërsa opozita dhe protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Debati politik mbi kërkesat e protestuesve pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij.

Reklame