TIRANË – Kryeministri Edi Rama është kthyer në Shqipëri pas vizitës 6-ditore në Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Menjëherë pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, Rama iu drejtua shqiptarëve me një mesazh, duke folur për zhvillimet e fundit në vend dhe veçanërisht për çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Rama e cilësoi masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit si “masë ekstreme”, duke theksuar se nuk ka të drejtë të ndërhyjë në përmbajtjen e dosjes dhe se hetimi duhet të vijojë.“Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm”, deklaroi Rama.
Sipas të dhënave të bëra publike nga organet e drejtësisë, Hyseni është nën masën “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra, ndërsa ndaj saj janë ngritur dyshime për nxjerrje të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit. GJKKO e la në fuqi masën më 24 shtator.
Rama: Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund
Në pjesën tjetër të deklaratës së tij, kryeministri u ndal te reforma në drejtësi dhe zhvillimet e reja në sistemin e drejtësisë.
Rama tha se “koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund në mënyrë të pakthyeshme”, duke e cilësuar aftësinë e sistemit për të hetuar edhe zyrtarë të lartë si një tregues të ndryshimit që, sipas tij, ka sjellë reforma në drejtësi.
Ai deklaroi se reforma ishte një vendim politik i marrë nga qeveria dhe Partia Socialiste, duke argumentuar se pushteti politik ia ka dorëzuar drejtësisë kompetencën për të hetuar dhe gjykuar.“Sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar është vetë sistemi që po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë. Kjo është arritje e madhe”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se pavarësia e drejtësisë, sipas tij, nuk duhet parë si rezultat vetëm i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, por edhe si rezultat i reformës së ndërmarrë në Shqipëri.
“Shqipëria nuk kthehet pas”
Duke iu përgjigjur indirekt debatit politik mbi zhvillimet e fundit, Rama deklaroi se procesi i reformës në drejtësi nuk do të ndalet.“Sot unë jam kthyer në Shqipëri, por Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalin”, deklaroi kryeministri.
Rama tha gjithashtu se nuk është e mundur që kryeministri të parashikojë veprimet e çdo zyrtari apo të dijë paraprakisht nëse një individ shkel ligjin.
Sipas tij, pikërisht për këtë arsye ekzistojnë organet e drejtësisë, ndërsa ai tha se do të vazhdojë të mbështesë drejtësinë e re.
Rama për akuzat për dhuratat: “Janë regjistruar si prona të shtetit”
Në deklaratën e tij, kryeministri iu përgjigj edhe akuzave që kanë qarkulluar për dhurata me vlerë të lartë.
Rama tha se në Kryeministri ekziston një muze i dhuratave, ku, sipas tij, janë regjistruar edhe orët e shtrenjta që i janë dhuruar gjatë ushtrimit të detyrës.
Ai mohoi që dhuratat e marra si kryeministër të jenë përdorur si pasuri personale dhe deklaroi se ato janë regjistruar si prona të shtetit shqiptar.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet të hënën
Rama do të marrë pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj për të diskutuar situatën e krijuar pas zhvillimeve në SHISH.
Mbledhja është planifikuar për të hënën, në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave.
Çështja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit, në një kohë kur hetimi i SPAK ka sjellë një debat të gjerë politik dhe institucional.
Lexo edhe:
Diaspora ka dhënë shpresë në kushtet e mbijetesës, Rama: Tani kërkojmë partneritet
Konferencë e pazakontë. Rama u drejtohet nesër shqiptarëve sapo të mbërrijë në aeroport














