Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Italisë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli.
Konsullata do të drejtohet nga Konsulli i Nderit Giuseppe Lettieri dhe do të ketë juridiksion në rajonin e Kampanjës.
Sipas njoftimit, ajo synon të shërbejë si pikë referimi për komunitetin shqiptar në këtë rajon, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe social mes Shqipërisë dhe Italisë.
Gjatë vizitës në Napoli, Rama do të vizitojë edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin “L’Orientale”.
Më pas, Kryeministri do të jetë në Universitetin “Parthenope”, ku do të marrë pjesë në pritjen me temë “Napoli, një urë miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi mes Italisë dhe Shqipërisë”.
Vizita do të përmbyllet me një takim me rektorët e universiteteve të Napolit.
Në këtë takim, Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pritet të diskutojnë mundësitë për bashkëpunim dhe krijimin e sinergjive mes universiteteve shqiptare dhe atyre italiane, në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.
Inaugurimi i konsullatës në Napoli synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe rajonit të Kampanjës, ku jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar.
Lexo edhe:












