Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen mbi pagat e gjyqtarëve, duke kritikuar gjuhën e përdorur nga një gjyqtar në lidhje me pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe buxhetin e shtetit.

Në një postim në platformën X, Rama e cilëson si të papërshtatshme mënyrën e shprehjes së gjyqtarit, duke e krahasuar atë me një tifoz futbolli.

Reklame

Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se asnjë pushtet tjetër nuk mund të zëvendësojë Parlamentin në procesin legjislativ, ndërsa argumenton se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vlerësojë nëse një akt i miratuar nga ligjvënësi bie ndesh me Kushtetutën.

Sipas Ramës, politika e pagave propozohet nga qeveria, miratohet nga Kuvendi dhe zbatohet nga qeveria.

Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën”, shprehet ai.

Rama: Nëse gjyqtarët bashkohen kundër qeverisë, kemi një sfidë të re

Pjesa më e fortë e reagimit të Ramës lidhet me mundësinë që shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përdorin mjete ligjore për të kërkuar rritjen e pagave.

Rama shprehet se, nëse këto struktura do të vepronin në mënyrë të koordinuar përmes gjykatave dhe prokurorive kundër qeverisë, Shqipëria do të përballej me një situatë të pazakontë.

Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri”, shkruan kryeministri.

Megjithatë, Rama thekson se nuk dëshiron që situata të shkojë në këtë drejtim dhe e cilëson debatin për pagat si një çështje të rëndësishme për funksionimin e shtetit.

Ai e quan kërkesën për paga shumë të larta jo një çështje “inati”, por një “sfidë shtetbërjeje europiane të Shqipërisë”.

“Tryeza vazhdon të jetë gati”

Në fund të reagimit, Rama i rikthehet takimit të kërkuar me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë.

Ai thotë se tryeza e përgatitur për takimin, i cili u anulua, vijon të jetë e gatshme dhe se data 17 shtator shënon përfundimin e episodit të tensionuar publikisht, por jo të nevojës për komunikim mes pushteteve.

Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve”, përfundon Rama reagimin e tij.

Debati për formulën dhe nivelin e pagave të gjyqtarëve ka sjellë përplasje publike mes sistemit të drejtësisë dhe qeverisë, ndërsa çështja pritet të vijojë të diskutohet edhe pas 17 shtatorit.

Lexo edhe:

“Po doganierët, policët e tatimorët?”/ Rama shpërthen për pagat e gjyqtarëve: Paratë që mblidhni nuk janë tuajat

“Kemi qesen tonë të buxhetit”/ Rama publikon mesazhin e gjyqtarit për pagat: A mund të flasë kështu një gjykatës?

Reklame