Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për dërgimin në Itali të Erjon Vishkullit, të riut që u plagos në sy me plumb gome gjatë protestës studentore në Tiranë. Rama ka kundërshtuar deklaratën e motrës së tij, e cila pretendoi se udhëtimi dhe trajtimi mjekësor jashtë vendit u organizuan me ndihmën e familjarëve dhe miqve.

Në një postim në rrjetin social X, Rama deklaron se iniciativën për trajtimin e specializuar të të riut në Itali e ka marrë personalisht dhe se udhëtimi me avion mjekësor, si dhe shpenzimet përkatëse, janë mbuluar nga shteti.

Reklame

“Iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, po e kam marrë unë personalisht dhe vajtja e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!”, shkruan Rama.

Kryeministri shton se e ka takuar dhe i ka uruar shërim të shpejtë Vishkullit përpara nisjes drejt Italisë, në ambientet VIP të aeroportit, nga ku, sipas tij, udhëtojnë edhe zyrtarët e lartë të shtetit.

Reagimi vjen pas deklaratës së motrës së të riut, e cila hodhi poshtë versionin e kryeministrit dhe tha se familja dhe miqtë kishin ndihmuar për dërgimin e tij në Itali.

Erjon Vishkulli u plagos në sy gjatë protestës në Tiranë dhe, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës, mbërriti në Romë për trajtim të specializuar. Ai ka bërë të ditur në rrjetet sociale se ndodhet në spitalin “San Carlo”, ku pritet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale.

Deri tani, Rama dhe familja e të riut kanë dhënë versione të ndryshme për mënyrën se si u organizua dhe u financua udhëtimi drejt Italisë.

“Iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit”,- shkruan Rama ndër të tjera.

lexo edhe
Reklame