Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që prej disa ditësh po shoqërohen me përplasje në Tiranë, duke i cilësuar sulmet me gurë ndaj Policisë si akte dhune që mund të shkaktojnë pasoja të rënda.
Gjatë deklaratës së tij, Rama iu referua gurëve të shkulur nga trotuaret e Rrugës së Durrësit, të cilët, sipas tij, janë përdorur për të sulmuar efektivët e Policisë.
“Kam marrë këtë gurin në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të Policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Ky gur përcakton ku mbaron e drejta e protestës”, u shpreh kryeministri.
Rama pretendoi se vëmendja te arsimi po përdoret për të kamufluar, sipas tij, arsyet e vërteta të protestës dhe për të justifikuar dhunën. Ai theksoi se problemi nuk janë nxënësit apo studentët që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar, por personat që përfshihen në akte dhune.
Kreu i qeverisë foli edhe për praninë e studentëve që, sipas tij, kanë pikëpamje të ekstremizuara politike, duke bërë dallimin mes pjesëmarrjes në protestë dhe përdorimit të dhunës.
Deklarata vjen në një kohë kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa mënyra e ndërhyrjes së Policisë dhe përdorimi i forcës ndaj të rinjve kanë qenë gjithashtu në qendër të debatit publik.
Lexo edhe
Pamjet nga Rinasi, Këlliçi ngre alarmin: “Rama shton mjetet kundër studentëve”














