Protesta e zhvilluar më 28 Nëntor në Tiranë ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë pjesë e raportimeve të disa prej mediave dhe agjencive më të njohura të lajmeve në botë. Këtë herë, vëmendja ndërkombëtare nuk është përq

endruar te turizmi apo procesi i integrimit europian, por te tensionet në rrugët e kryeqytetit dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Reklame

Reuters, Associated Press, AFP, Washington Post, Los Angeles Times, ABC News, Al Jazeera, Euronews, The Independent dhe ANSA janë ndër mediat që kanë raportuar mbi zhvillimet e protestës, e cila u mbajt në një datë simbolike për shqiptarët, në 114-vjetorin e Pavarësisë.

Në kronikën e Reuters, protesta paraqitet si një lëvizje e udhëhequr nga studentët, të cilët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Agjencia ndërkombëtare ndalet te përshkallëzimi i situatës, duke raportuar për përdorimin e gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës nga policia, ndërsa nga ana e protestuesve janë hedhur gurë dhe koktej molotovi.

Një tjetër këndvështrim sjell Associated Press, e cila i kushton rëndësi edhe pjesëmarrjes së qytetarëve shqiptarë që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës për t’iu bashkuar protestës. Përmes intervistave me studentë, emigrantë dhe pensionistë, AP përcjell pakënaqësitë që lidhen me korrupsionin, vështirësitë ekonomike dhe pasigurinë për të ardhmen e të rinjve në Shqipëri. Materiali i kësaj agjencie është publikuar gjithashtu nga Washington Post, Los Angeles Times dhe ABC News.

Nga ana e saj, agjencia franceze AFP përshkruan një Tiranë të mbuluar nga tymi, ku bulevardi kryesor u shndërrua në skenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë. Në raportim përfshihen edhe ndryshimet ligjore të miratuara në fund të tetorit, të cilat parashikojnë gjoba deri në 500 mijë lekë për akte dhune, grabitje apo fshehje të identitetit gjatë tubimeve.

Edhe agjencia italiane ANSA e sjell protestën përmes pamjeve të një kryeqyteti të përfshirë nga tensionet, duke e cilësuar situatën në bulevard si një përballje të ashpër mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Në qendër të raportimit mbetet kërkesa për dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.

Ndërkohë, Al Jazeera e sheh zhvillimin e fundit si pjesë të një pakënaqësie më të gjerë qytetare, e cila ka nisur të marrë formë që prej muajit maj. Fillimisht e lidhur me kundërshtimin e projektit turistik që përfshin familjen e presidentit amerikan Donald Trump, lëvizja është zgjeruar gradualisht, duke përfshirë edhe shqetësime për korrupsionin, sistemin shëndetësor dhe mungesën e perspektivës për brezin e ri.

Në të njëjtën linjë, mediat britanike, mes tyre The Independent, vënë në pah akuzat për korrupsion në qeverisje dhe problemet me punësimin. Për zhvillimet në Tiranë kanë raportuar gjithashtu gazeta greke Kathimerini dhe transmetuesi publik irlandez RTÉ, të cilët janë ndalur te përplasjet dhe thirrjet për largimin e kryeministrit.

Përtej raportimit të episodeve të dhunës, ajo që i bashkon këto publikime është fakti se protesta e 28 Nëntorit shihet si pjesë e një pakënaqësie që është akumuluar prej muajsh, dhe jo thjesht si një ngjarje e shkëputur nga zhvillimet politike në vend.

Kështu, në një ditë që tradicionalisht shënon festën e flamurit dhe Pavarësisë, imazhet e Shqipërisë që kanë mbërritur në mediat ndërkombëtare janë ato të një Tirane të përfshirë nga tensionet: tymi i gazit lotsjellës, flakët në bulevard, protestuesit përballë policisë dhe një klimë e fortë përplasjesh politike e sociale.

Lexo edhe

12 të arrestuar dhe 19 të proceduar pas protestës së 28 Nëntorit! Policia zbardh akuzat

Protesta nuk ndalet! Qytetarët nisin marshimin nga “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

Reklame