Advertisement

Pas urdhërarresteve dhe kontrolleve të gjera që goditën skemën e dyshuar të tenderëve në AKSHI, hetimi i SPAK nuk duket se po mbyllet te një institucion apo te disa emra të ekspozuar publikisht. Përkundrazi, burime pranë organit të akuzës flasin për një zgjerim të heshtur të hetimeve drejt figurave që për vite me radhë kanë vepruar larg kamerave, por jo larg qendrës së vendimmarrjes.

Një prej këtyre emrave është Orest Sota.

Reklame

Në botën e prapaskenave ai përshkruhet si “eminenca gri” e Ergys Agasit, një figurë kyçe në dosjet e hapura së fundmi, njeri i afërt dhe i besuar, që sipas burimeve jozyrtare ka kryer prej vitesh një sërë veprimesh për llogari të tij, pa u ekspozuar drejtpërdrejt në media apo në dokumente zyrtare.

Mediat raportojnë se procesi i nisur nga SPAK i hap rrugë verifikimit të lidhjeve të mundshme financiare dhe operative mes Orest Sotës dhe Ergys Agasit, në një kohë kur Prokuroria e Posaçme po rihap dosje të vjetra dhe po i lexon ato nën një dritë të re, ku ndërthuren biznesi, politika dhe krimi i organizuar.

Ky zhvillim vjen pas masave ndaj Agasit – personazhi që ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e cilësoi publikisht si “koordinator i krimit” – deklaratë që ngriti dyshime serioze mbi mënyrën se si kanë funksionuar flukset financiare të një skeme tenderash të dyshuara në vlera dhjetëra milionë euro.

Burime hetimore sugjerojnë se një pjesë e këtyre flukseve mund të jenë kanalizuar përmes strukturave paralele, bizneseve dhe individëve të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës reale të parave.

Në këtë kontekst, rikthimi i Orest Sotës në dyert e SPAK në fillim të vitit nuk shihet si një formalitet. Edhe pse Prokuroria nuk ka bërë publike detaje per mediat por burime bejne te ditur se ka mjaft materjale ndaj dhe  thirrja e tij lidhet me hetime për transaksione financiare, lëvizje asetesh dhe administrim fondesh për llogari të palëve të treta, përfshirë edhe persona tashmë nën hetim.

Emri i Sotës nuk është i panjohur për publikun. Në vitin 2017 ai u arrestua me rreth 863 mijë euro cash dhe me dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, një episod që në atë kohë u konsiderua nyje kritike në hetimet për trafikun e drogës dhe lidhjet e politikës me krimin. Megjithatë, dosja u fragmentua, kaloi nga Krimet e Rënda te gjykata e Elbasanit dhe përfundimisht Sota u lirua me garanci pasurore, ndërsa akuzat për pastrim parash u zbehën.

Sot, pas disa vitesh, rikthimi i tij në fokusin e SPAK shihet si sinjal se fijet e vjetra po lidhen sërish, këtë herë në një mozaik më të gjerë hetimor. Burime bëjnë me dije se marrja në pyetje lidhet me të dhëna të reja të dala gjatë hetimeve për Agasin dhe rrethin e tij.

Sipas të njëjtave burime, SPAK po ndjek pistën e një skeme ku bizneset dhe llogaritë e Orest Sotës dyshohet se janë përdorur për të administruar fonde që nuk justifikohen me aktivitet ekonomik real – një model i njohur në marrëdhëniet mes grupeve kriminale, ndërmjetësve financiarë dhe individëve të ekspozuar politikisht.

Nëse këto dyshime provohen, hetimi nuk do të kufizohet vetëm në individë, por pritet të shtrihet mbi mekanizmat e fshehjes së parave, përdorimin e “emrave tampon” dhe rrjetet informale që për vite kanë garantuar qarkullimin e parasë larg syrit të shtetit.

Lëvizja e fundit e SPAK interpretohet nga analistët si një test serioz i vullnetit për të prekur dosje të ndjeshme dhe për të çarë lidhjet e padukshme mes krimit, biznesit dhe politikës – në një kohë kur hetimet e nisura me AKSHI-n duket se janë vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh.

Dhe pyetja që shtrohet tashmë nuk është më nëse do të ketë zhvillime të tjera, por sa thellë do të shkojnë ato. Ne ditet ne vijim dalin dhe detaje te tjera.

Reklame