Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka nisur negociatat me rivalin e tij kryesor, Gadi Eisenkot, për krijimin e një qeverie uniteti, duke i propozuar ndarjen e mandatit të kryeministrit me rotacion.

Takimi mes dy politikanëve u zhvillua të dielën në selinë e ushtrisë izraelite në Tel Aviv. Fillimisht, ata morën një informim mbi situatën e sigurisë, përpara se të nisnin diskutimet për mundësinë e krijimit të qeverisë së re.

Reklame

Eisenkot, të cilit presidenti i Izraelit i ka besuar detyrën për formimin e qeverisë së ardhshme, është shprehur i gatshëm të shqyrtojë seriozitetin e ofertës së partisë Likud të Netanyahut.

Një ditë më parë, Netanyahu deklaroi se ishte i gatshëm që Eisenkot të merrte fillimisht postin e kryeministrit, ndërsa ai vetë të shërbente si zëvendëskryeministër, me mundësinë e ndërrimit të roleve gjatë mandatit.

Megjithëse partia e Netanyahu-t ka më shumë vende në Parlament, ky i fundit tha se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga parimi që drejtimin e qeverisë duhet ta marrë partia më e madhe, përballë asaj që e cilësoi si një kërcënim ekzistencial për Izraelin.

Ndërkohë, Eisenkot ka vendosur datën 6 dhjetor si afat për formimin e qeverisë së re, duke deklaruar se nuk do të kërkojë zgjatjen e afatit me 14 ditë.

Ai ka akuzuar më herët partinë e Netanyahu-t se po zvarrit negociatat për koalicionin, me synimin për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Lexo edhe

Netanyahu kundërshton rezultatet e zgjedhjeve në Izrael, kërkon përsëritjen e votimit në 120 qendra

Netanyahu propozon qeveri të unitetit kombëtar në Izrael, pranon që Eisenkot të jetë kryeministër i pari

Reklame