Transporti detar ka konfirmuar edhe gjatë vitit 2025 rolin e tij kyç në ekonominë dhe lëvizjen turistike të vendit, me Portin e Durrësit dhe atë të Sarandës që dominojnë pothuajse të gjithë fluksin e pasagjerëve në Shqipëri.
Në krye të listës renditet Porti i Durrësit, i cili ka përthithur 46.7% të totalit të pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes porteve shqiptare. Vetëm gjatë vitit të kaluar, ky port ka regjistruar rreth 791 mijë pasagjerë, duke konfirmuar jo vetëm rolin e tij tradicional si nyja kryesore e transportit të mallrave, por edhe si porta kryesore e turizmit detar, veçanërisht në linjat me Italinë.
Surpriza e fortë vijon të jetë Porti i Sarandës, i cili gjatë vitit 2025 ka regjistruar mbi 754 mijë pasagjerë, ose 44.8% të totalit kombëtar. Ky port, që shërben kryesisht për linjat turistike me Korfuzin, ka dominuar veçanërisht gjatë muajve të verës, duke u kthyer në një pikë kyçe për turizmin sezonal. Në krahasim me vitin 2024, Saranda shënon edhe rritjen më të lartë të pasagjerëve, me një normë prej 21.8%.
Ndërkohë, Porti i Vlorës renditet i treti, por me një diferencë të ndjeshme, duke regjistruar rreth 150 mijë pasagjerë, ose vetëm 9% të totalit kombëtar, çka tregon përqendrimin e fortë të fluksit në dy porte kryesore të vendit.
Paralelisht me lëvizjen e pasagjerëve, transporti i mallrave detare vijon të jetë shtylla kryesore e furnizimit të ekonomisë shqiptare. Gjatë vitit 2025, portet shqiptare përpunuan rreth 8.2 milionë ton mallra, duke e vendosur detin si korridorin dominues të import-eksportit.
Në këtë drejtim, Porti i Durrësit mbetet absolutisht dominues, me një rritje prej 5.4% të volumit të mallrave, krahasuar me një vit më parë, dhe me një peshë që arrin në 94% të totalit kombëtar. Në të kundërt, Porti i Sarandës ka shënuar një rënie prej 5.9% të volumit të mallrave gjatë vitit 2025, duke reflektuar një orientim gjithnjë e më të fortë drejt funksionit turistik dhe më pak drejt atij tregtar.
Shifrat tregojnë qartë se, edhe pse shpesh në heshtje, transporti detar po mbetet një motor strategjik i ekonomisë shqiptare, me zhvillime që ngrenë njëkohësisht pikëpyetje për balancën rajonale dhe nevojën për investime të reja infrastrukturore.














