Partia Demokratike jep përshtypjen se është e hapur për një koalicion parazgjedhor me partitë e vogla opozitare, me përjashtimin e Arlind Qorrit. Por ndërsa PD-ja flet për bashkim, partitë e vogla duket se kanë nisur llogaritë për interesat e tyre. Jashtë selive partiake, qytetarët protestojnë kundër qeverisë; brenda tyre, opozitarët duket se kanë marrë fshesat në dorë, jo për të larguar Ramën, por për të pastruar terrenin nga njëri-tjetri.
Partia Demokratike nuk mund ta lëshojë flamurin e forcës më të madhe opozitare në vend. Ajo ka peshën elektorale dhe strukturat që partitë e tjera nuk i kanë, ndaj është e kuptueshme që kërkon të ruajë drejtimin e opozitës. Por problemi është se, megjithëse deklarohet e hapur për bashkëpunim, tryeza ku duhen përcaktuar rregullat e lojës ende nuk është thirrur. Sa më shumë të afrohet dita e zgjedhjeve, aq më shumë rrezikon që kjo hapje të mbetet një deklaratë politike, ndërsa palëve t’u kërkohet në minutën e fundit të pranojnë atë që u ofrohet, me justifikimin se nuk ka më kohë për alternativa të tjera.
Në këtë lojë, Agron Shehaj duket se ka zgjedhur të luajë një ndeshje të vetën. Kreu i Mundësisë nuk e fsheh ambicien për ta konsoliduar partinë si një alternativë më vete, por deklaratat e tij ngrenë një pyetje thelbësore: sa e rëndësishme është për të bashkërendimi i opozitës dhe sa e rëndësishme është që Mundësia të dalë nga zgjedhjet si një forcë më vete, pavarësisht kostos për të tjerët?
Pak net më parë, në emisionin *Opinion*, kur Blendi Fevziu e pyeti nëse do të merrte pjesë në zgjedhje përballë Ramës, Shehaj u përgjigj: po. Një përgjigje e qartë, që mund të lexohet si gatishmëri për të hyrë në garë edhe nëse pjesa tjetër e opozitës vendos të mos marrë pjesë. Kjo nuk provon se Shehaj synon të dëmtojë opozitën, por tregon se ai është i gatshëm të ndjekë një strategji që nuk varet domosdoshmërisht nga një vendim i përbashkët opozitar.
Dhe këtu nis problemi politik i Shehajt. Nëse beson se mund të fitojë përballë Ramës, le ta provojë forcën e tij në zgjedhje. Por nëse synimi është të sigurojë më shumë deputetë dhe të faktorizohet në kurriz të një opozite të fragmentuar, atëherë kjo është një llogari që duhet gjykuar jo vetëm nga rezultati që mund të marrë Mundësia, por edhe nga pasoja që mund të ketë për opozitën në tërësi. Një parti mund të fitojë disa mandate, ndërsa kundërshtari i saj kryesor politik mund të fitojë garën e madhe. Në fund, mandati i një partie të vogël nuk është automatikisht fitore për opozitën.
Shehaj ka të drejtë të kërkojë hapësirën e vet politike. Por nuk mund të pretendohet njëkohësisht se synohet ndryshimi i pushtetit dhe të anashkalohet pyetja se çfarë ndodh nëse strategjia e secilit kontribuon në përçarjen e votës kundër qeverisë. Këtu nuk mjaftojnë deklaratat për alternativë të re, as ambicia për të qenë ndryshe nga të tjerët. Duhet të sqarohet se si kjo alternativë do ta ndihmojë ndryshimin politik dhe jo thjesht rritjen e vet.
Edhe prania e Mundësisë në protestat kundër qeverisë ngre pikëpyetje. Në tubimet e zhvilluara deri tani, ajo është vënë re kryesisht përmes drejtuesve të saj të lartë, ndërsa një mobilizim i dukshëm i anëtarësisë nuk ka rënë në sy. Ndryshe nga forcat që kanë kontribuar në protesta edhe me mbështetësit e tyre, Mundësia nuk ka shfaqur deri tani një prani të krahasueshme në terren. Kjo nuk do të thotë se partia nuk ka anëtarë apo mbështetës, por krijon një kontrast që nuk mund të shpërfillet: një forcë që aspiron të marrë peshë parlamentare duhet të tregojë edhe se ka njerëz, strukturë dhe kapacitet mobilizues, jo vetëm drejtues që shfaqen në ekranet televizive apo në dyert e komisariateve.
Ndërkohë, Adriatik Lapaj duket se po bën një llogari tjetër. Duke pasur parasysh vështirësinë për të ndërtuar një front të gjerë opozitar dhe faktin se jo të gjithë aktorët e shohin me të njëjtin sy, ai mund të mendojë se një marrëveshje me PD-në do t’i jepte Shqipëria Bëhet më shumë shanse për të siguruar mandate parlamentare. Në kushtet kur Kodi Zgjedhor dhe formula e ndarjes së mandateve mund të përcaktojnë fatin e partive të vogla, bashkëpunimi mund të jetë një rrugë pragmatike për të mos mbetur jashtë parlamentit.
Por Lapaj ka krijuar edhe një vështirësi për veten. Votimi i anëtarësisë së tij, pak ditë më parë, doli bindshëm në favor të pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore me kandidatë për kryetarë bashkish. Ky vendim e bën më të ndërlikuar një marrëveshje të ardhshme me PD-në, sidomos nëse palët nuk bien dakord për ndarjen e hapësirave elektorale. Ai mund të kërkojë bashkëpunim për zgjedhjet parlamentare, por do të duhet të shpjegojë se si do ta harmonizojë këtë me vullnetin e shprehur nga anëtarësia për të garuar edhe në nivel vendor.
Gjithsesi, pa ditur se si do të jetë Kodi i ri Zgjedhor dhe çfarë mekanizmash do të përdoren për konkurrimin e koalicioneve, çdo përfundim mbetet i parakohshëm. Sistemi zgjedhor mund ta ndryshojë ndjeshëm interesin e partive të vogla për të garuar veçmas ose për t’u bashkuar me PD-në.
Por panorama politike është e qartë: PD-ja kërkon të ruajë drejtimin e opozitës; Shehaj duket i vendosur të mos e humbasë identitetin e Mundësisë brenda një marrëveshjeje që mund ta kufizojë; ndërsa Lapaj mund të shohë te bashkëpunimi një mundësi për të rritur përfaqësimin e tij parlamentar.
Në fund, pyetja që duhet t’i bëhet Shehajt është e thjeshtë: a është Mundësia një alternativë që synon të ndryshojë pushtetin, apo një parti që synon para së gjithash të rrisë numrin e deputetëve të saj, edhe nëse opozita hyn e përçarë në zgjedhje? Këto dy objektiva nuk janë domosdoshmërisht të papajtueshme, por kur nuk shpjegohet se si do të pajtohen, dyshimi është i pashmangshëm.
Ndërsa qytetarët protestojnë dhe presin një alternativë të besueshme, partitë opozitare vazhdojnë të matin njëra-tjetrën, të mbrojnë interesat e veta dhe të negociojnë pozitat e ardhshme. Në këtë situatë, Edi Rama mund të mos ketë nevojë të bëjë shumë për ta dobësuar kundërshtarin e tij. Mjafton që opozita të vazhdojë të sillet sikur armiku i saj më i madh të jetë partia që qëndron në krahun tjetër të barrikadës.
Dhe nëse Shehaj, Lapaj e të tjerët nuk arrijnë të përcaktojnë se ku mbaron interesi i partisë së tyre dhe ku fillon interesi i përbashkët opozitar, atëherë përfituesi më i sigurt nga kjo lojë nuk do të jetë asnjëri prej tyre. Do të jetë Rama.
Lexo edhe
PËRSHKALLËZOHET PROTESTA! Fishekzjarrë drejt policisë, autoboti me ujë dhe gaz lotsjellës














