Policia e Krujës, në bashkëpunim me forcat operacionale të Tiranës, ka ndërmarrë një aksion të gjerë duke ngritur postoblloqe në të gjitha akset kryesore të Krujës dhe Fushë-Krujës.
Operacioni synon goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim, si dhe ndalimin e atyre që qarkullojnë me armë apo lëndë narkotike. Burime bëjnë me dije se kontrollet janë të imtësishme dhe po shtrihen në disa pika strategjike të territorit.
Në fokus të veçantë janë vendosur edhe “zonat e nxehta”, të njohura për prezencë të elementëve me precedentë penalë, ndërsa vëmendje po i kushtohet edhe zonave të dyshuara për kultivim kanabisi.
Drejtuesit e rinj të Komisariatit të Policisë Krujë duket se kanë nisur një qasje më të ashpër ndaj krimit, duke shtuar praninë në terren dhe kontrollet e befasishme.
Policia u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe respektim të ligjit, ndërsa garanton siguri të shtuar në të gjithë territorin.














