Kredi të marra për të zgjidhur probleme të përditshme ekonomike, por që sipas qytetarëve janë kthyer në një barrë të rëndë për familjet. Denoncime për kostot dhe shlyerjen e kredive pranë Iute dhe Kredo kanë mbërritur në adresën e gazetarit Elton Tozaj.
Në mesazhet e publikuara, qytetarët shprehin pakënaqësi për shumat që u kërkohen për të shlyer kreditë dhe për vështirësitë që pretendojnë se po përjetojnë gjatë pagesave.
Iute: “Po punoj vetëm për të larë kredinë”
Një qytetar që pretendon se ka marrë një kredi prej 1 milion lekësh pranë Iute shprehet se prej tre vitesh e gjysmë po përballet me pagesat dhe se detyrimi është kthyer në një barrë të rëndë.
Në mesazhin drejtuar gazetarit, ai shprehet se kredinë e ka marrë për të zgjidhur probleme normale ekonomike dhe jo për arsye luksi, por sipas tij, pagesat po i marrin një pjesë të madhe të të ardhurave.
“Po punoj vetëm për të larë kredinë”, shkruan qytetari në denoncimin e tij.
Mesazhi pasqyron vështirësinë që ai pretendon se po përjeton, por për të përcaktuar koston reale të kredisë nevojiten kontrata, shuma e disbursuar, interesi, këstet dhe historiku i pagesave.
Kredo: Pretendimi për 2 milionë lekë kredi dhe 4.2 milionë për t’u kthyer
Një tjetër denoncim lidhet me Kredo. Një qytetar, i cili kërkon të mos i publikohet identiteti, i ka shkruar gazetarit se një person i afërt i tij ka marrë një kredi prej 2 milionë lekësh.
Sipas mesazhit, për shlyerjen e saj i është kërkuar të paguajë 4 milionë e 200 mijë lekë.
Denoncuesi pretendon se kjo shumë është shumë e lartë në raport me kredinë e marrë. Megjithatë, për të verifikuar nëse llogaritja është e saktë, duhet parë kontrata dhe ndarja e detyrimit në principal, interesa, komisione dhe penalitete të mundshme.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje
Rastet e denoncuara ngrenë pikëpyetje për transparencën e kostos së kredive dhe mënyrën se si informohen klientët për shumën totale që duhet të paguajnë.
A e kuptojnë qytetarët që në momentin e firmosjes se sa do t’u kushtojë realisht kredia? A u bëhet e qartë se çfarë ndodh në rast vonesash? A janë të kuptueshme për klientët të gjitha kostot dhe detyrimet që parashikohen në kontratë?
Përgjegjësia për të sqaruar këto raste nuk mund të mbetet vetëm te denoncimet në rrjetet sociale. Kompanitë e përmendura duhet të japin shpjegime për pretendimet konkrete, ndërsa institucionet mbikëqyrëse duhet të garantojnë transparencën dhe respektimin e të drejtave të konsumatorëve.
Ndërsa shteti duhet të jetë më i rreptë në monitorimin e tyre dhe të jetë në krah të qytetarëve jo të kompanive piramidë që po i zhvasin cdo ditë e më shumë qytetarët që kur shkojnë në zyrat e tyre ndihen të pa mbrojtur.
Lexo edhe
Denoncimi tronditës për Fondin Besa: “Mora 12 mijë euro, kam paguar 47 mijë”
Fondi Besa, “mamuthi” i errët i mikrokredive. Fijet e zeza me politikën, trafikun dhe paratë














