Eduart Dushku, i njohur edhe me emrin Edison dhe nofkën “i forti i Saukut”, është 49-vjeçari që u arrestua këtë të enjte në Tiranë, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri me motomjet në Rrugën e Elbasanit.
Dushku është një emër i njohur për policinë, pasi ndër vite është arrestuar disa herë dhe është përmendur në çështje të ndryshme penale.
Arrestimi i fundit u krye në kuadër të operacionit të koduar “Eksponenti”. Sipas policisë, gjatë kontrollit të motomjetit 49-vjeçarit iu gjet një pistoletë me municion, të cilën dyshohet se synonte ta trafikonte.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku efektivët gjetën një jelek antiplumb. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni, jeleku, motomjeti dhe telefoni celular.
Nga vrasja te shpërthimet me eksploziv në Sauk
Por kush është Eduart Dushku dhe çfarë dihet për të kaluarën e tij?
Sipas raportimeve mediatike ndër vite, emri i tij është përmendur në disa çështje penale, mes tyre vrasje me dashje, armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone me eksploziv dhe zjarr, dëmtime me dashje, dhunë në familje dhe kallëzim të rremë.
Një prej ngjarjeve më të rënda me të cilat është lidhur emri i tij është vrasja e Avdulla Vrapit, e ndodhur më 22 gusht 2011, pranë zonës së Sanatoriumit në Tiranë.
Dushku u arrestua në mars të vitit 2012 në lidhje me këtë ngjarje. Sipas raportimeve të kohës, ai u dënua me dy vite burg për këtë çështje.
Djegia e BMW-së dhe eksplozivi në një lokal
Një tjetër episod lidhet me dy ngjarje të ndodhura në Sauk gjatë viteve 2014 dhe 2015.
Bëhet fjalë për djegien e një automjeti tip “BMW”, në dhjetor të vitit 2014, si dhe vendosjen e eksplozivit në një lokal, në shkurt të vitit 2015.
Në shtator 2017, policia arrestoi Dushkun, duke e akuzuar për përfshirje në këto dy ngjarje.
U arrestua sërish në vitin 2018 me pistoletë
Në shkurt të vitit 2018, Eduart Dushku u arrestua sërish në Rrugën e Elbasanit, gjatë operacionit të koduar “Përsëritësi”.
Në atë kohë, policia i gjeti një pistoletë të tipit TT me tetë fishekë. Sipas njoftimit të asaj periudhe, arrestimi u krye pasi dyshohej se kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Tashmë, 49-vjeçari është sërish në prangat e policisë, këtë herë pas kapjes me armë zjarri gjatë operacionit “Eksponenti”.
Hetimet për rastin e fundit vijojnë, ndërsa arma dhe sendet e tjera të sekuestruara do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse.
lexo edhe
Horoskopi 5 nëntor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë
E kërkonin në Itali për një vrasje të vitit 2000, policia i troket në derë në Vlorë! (EMRI)














