Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur ish-kryetarin e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, ndaj të cilit janë ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

Dosja hetimore është dërguar në Gjykatën e Posaçme, ku prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, ka kërkuar kalimin e saj për gjykim. Në listën e të pandehurve, përveç Kokoneshit, janë edhe disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Divjakë.

Reklame

Sipas hetimeve të SPAK, zyrtarët e bashkisë dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë procedurave për dhënien me qira të disa pasurive publike.

Bëhet fjalë për prona të cilat më herët ishin të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) si toka shtetërore bujqësore. Sipas dokumenteve të administruara nga hetuesit, në këto sipërfaqe ishte planifikuar ndërtimi i paneleve diellore, ndërsa Bashkia Divjakë synonte t’ua jepte me kontratë 10-vjeçare dy kompanive private.

Nga hetimi rezulton se Bashkia Divjakë i është drejtuar Ministrisë së Bujqësisë për ndryshimin e kategorisë së tokës, nga tokë bujqësore në tokë pa frut, një procedurë që SPAK dyshon se është kryer për t’i hapur rrugë dhënies me qira dhe zhvillimit të investimit.

Prokuroria e Posaçme pretendon se gjatë këtyre procedurave janë cenuar rregullat ligjore dhe parimet e barazisë e konkurrencës, duke favorizuar subjekte të caktuara.

Tashmë pritet që Gjykata e Posaçme të shqyrtojë kërkesën e SPAK për kalimin e çështjes në gjykim, ndërsa ish-kryebashkiaku Fredi Kokoneshi dhe personat e tjerë të pandehur do të kenë mundësinë të paraqesin qëndrimin e tyre në procesin gjyqësor.

SPAK, gati prangat për abuzimet e fondeve IPARD, nga Termet Peçi, Alban Zusi, Marin Gjonaj dhe…(LISTA E PLOTE)

SPAK, gati prangat për abuzimet e fondeve IPARD, nga Termet Peçi, Alban Zusi, Marin Gjonaj dhe…(LISTA E PLOTE)

Reklame