Platforma “Pasqyra e Çmimeve” pritet të jetë online brenda 10-ditëshit të parë të tetorit dhe në fazën e parë do të përfshijë 160 produkte. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se po rakordohet me rrjetet kryesore të marketeve lista përfundimtare e produkteve që do të përfshihen në platformë.
Sipas Ibrahimajt, lista do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës, ushqimet dhe mallrat që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare.
“Sa i përket Pasqyrës, është një nismë e re që kemi ndërmarrë. Ne jemi duke punuar për të ndërtuar platformën, e cila është në fazat përfundimtare të përgatitjes. Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë live me një numër prej 160 produktesh. Jemi duke rakorduar me marketet kryesore listën finale të produkteve, e cila do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës, ushqime dhe mallra që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare”, tha Ibrahimaj.
Krahas “Pasqyrës së Çmimeve”, ministrja bëri të ditur se po punohet me rrjetet e supermarketeve dhe furnitorët edhe për një listë produktesh që do të tregtohen për tre muaj me çmime fikse dhe me fitim minimal.
“Jemi duke punuar gjithashtu me rrjetin e supermarketeve dhe furnitorëve me qëllim detajimin e një liste për të cilën ata kanë vendosur të tregtojnë për një periudhë 3-mujore, me çmime fikse dhe me fitim minimal. Të dyja këto do të jenë live brenda 10-ditëshit të parë të tetorit”, tha ministrja.
Lexo edhe:
Nafta 213 lekë, benzina 193 lekë/ litër, Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja
Nga nëntori pritet rritja e çmimeve të mishit, ai i viçit deri në 1,700 lekë/kg














