Një efektiv policie mbeti i plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në zonën e Shkozës, në Tiranë, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se objektiv i atentatit mund të ketë qenë fqinji i tij, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10 të datës 18 maj 2026, pranë banesës së efektivit të policisë, Anxhelo Kumaraku, 30 vjeç, i cili në momentin e sulmit ishte jashtë shërbimit.
Polici u transportua në spital, jashtë rrezikut për jetën
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 30-vjeçari u plagos, dyshohet me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit ose autorëve”, thuhet në reagimin zyrtar.
I plagosuri u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen grupi hetimor, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, të cilët po hetojnë nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Dyshohet se shënjestër ishte fqinji i efektivit
Burime nga hetimi bëjnë me dije se në momentin e atentatit, efektivi Anxhelo Kumaraku ndodhej pranë banesës së tij i shoqëruar nga një fqinj, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.
Sipas dyshimeve paraprake, objektiv i sulmit nuk ka qenë polici, por pikërisht fqinji i tij, me të cilin autorët dyshohet se kishin konflikte të mëparshme të lidhura me pazare droge dhe borxhe.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu arsyet pse efektivi i policisë ndodhej në shoqërinë e një personi që kishte thyer masën e sigurisë të vendosur nga gjykata.
Mësohet se Kumaraku nuk kishte njoftuar autoritetet për shkeljen e “arrestit në shtëpi” nga ana e fqinjit të tij, ndërsa para hetuesve ka deklaruar se me të kishte njohje të hershme që nga fëmijëria.
Në kërkim dy vëllezër, dyshohet konflikt për borxhe
Policia e Tiranë ka shpallur në kërkim dy persona, vëllezër mes tyre, si të dyshuar për atentatin.
Sipas informacioneve paraprake, dy vëllezërit kishin konflikt me fqinjin e efektivit për një çështje borxhi. Disa muaj më parë, fqinjit të policit dyshohet se i kishte dhunuar fizikisht ata, ndërsa atentati i mbrëmjes së dielë dyshohet të ketë qenë një akt hakmarrjeje.
Autorët dyshohet se kanë tentuar të qëllojnë fqinjin e Kumarakut, por plumbat kanë kapur efektivin e policisë.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të atentatit.















