Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Ilir Selmani, i konsideruar pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Leonard Duka.
Sipas vendimit të shpallur këtë të premte, Apeli i GJKKO ka pranuar kërkesën e Selmanit dhe ka konstatuar humbjen e fuqisë së masës së sigurisë “Arrest në burg”, e cila ishte caktuar fillimisht me vendim të vitit 2019 dhe më pas ishte verifikuar nga Gjykata e Posaçme në vitin 2020.
Në vend të paraburgimit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke urdhëruar që Selmani të mos largohet nga banesa e tij në Tiranë.
Po ashtu, gjykata ka urdhëruar prokurorinë dhe policinë gjyqësore të mbikëqyrin në mënyrë të pandërprerë zbatimin e masës së re të sigurisë.
Me vendimin e Apelit është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i Ilir Selmanit nga paraburgimi dhe shoqërimi i tij drejt banesës për ekzekutimin e masës “Arrest në shtëpi”.
Palët kanë të drejtë të ushtrojnë rekurs në Gjykata e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi i vendimit.














