Grupi organizator i protestës së paralajmëruar për këtë të shtunë ka bërë një thirrje simbolike për pjesëmarrësit, duke i ftuar të sjellin me vete një palë këpucë në kujtim të familjarëve, miqve apo të afërmve që kanë emigruar dhe nuk mund të jenë të pranishëm në tubim.

Një prej organizatorëve, Andi Tepelena, ka deklaruar se protesta do t’i kushtohet në mënyrë të veçantë diasporës shqiptare dhe fenomenit të emigracionit.

Reklame

“Ditën e shtunë, këpucë për ata që mungojnë. Të gjithë me këpucë me vete të atyre që nuk mund të jenë në protestë, të detyruar për shkak të kushteve social-ekonomike të braktisin Shqipërinë”, shprehet ai në mesazhin e publikuar.

Sipas organizatorëve, qëllimi është krijimi i një instalacioni simbolik me këpucë përpara godinës së Kryeministrisë, si formë proteste ndaj asaj që ata e konsiderojnë përgjegjësi të qeverisë për largimin e qytetarëve nga vendi.

Ata theksojnë se protesta synon të përcjellë një mesazh sensibilizues për emigracionin dhe pasojat e tij në shoqërinë shqiptare.

Reklame