Janë zbardhur detaje të reja nga dëshmia e 18-vjeçares e cila u vetëplagos me armë zjarri gjatë natës në një hotel në zonën e Saukut.
Sipas burimeve hetimore, e reja ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ka qenë e vetme në dhomë, ndërsa i dashuri i saj ndodhej jashtë së bashku me persona të tjerë. Ajo ka pohuar para hetuesve se nuk ka pasur njeri tjetër brenda ambientit kur ka qëlluar veten.
18-vjeçarja ka pranuar gjithashtu se edhe më herët ka tentuar të dëmtojë veten duke konsumuar medikamente. “Kam gabuar në jetë”, është shprehur ajo në dëshminë e saj.
E reja është në një lidhje me 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Në kërkim janë gjithashtu edhe:
Sajmir Gjuta, babai i tij Elvir Gjuta, kushëriri i tij, i cili ka shoqëruar 18-vjeçaren në spital së bashku me nënën e 22-vjeçarit
Ndërkohë janë arrestuar:Mirvete Gjuta, Vladimir Gjuta, xhaxhai i 22-vjeçarit
Të gjithë personat e shpallur në kërkim dhe ata të arrestuar akuzohen për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndaj 22-vjeçarit Erisjaldo Gjuta rëndon edhe akuza për “Armëmbajtje pa leje”.
Grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të sqaruar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë. 18-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa hetimet mbeten të hapura.














