Pas rreth tre orësh protestë para godinës së Kryeministrisë, qytetarët në Tiranë kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar lëvizjen e tyre në disa prej akseve kryesore të qytetit.
Fillimisht, protestuesit janë grumbulluar në Sheshin “Skënderbej”, ashtu si në ditët e mëparshme, për t’u organizuar dhe më pas janë nisur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku janë ndalur përballë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë gjithë protestës, qytetarët kanë vijuar me thirrje për ndryshim të klasës politike dhe largimin e qeverisë aktuale, duke përsëritur kërkesat e tyre të artikuluara prej ditësh.
Sipas deklarimeve të bëra gjatë tubimeve, protestuesit kanë paraqitur edhe një paketë prej pesë kërkesash kryesore, që përfshijnë:
- Dorëheqjen e qeverisë;
- Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
- Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Marshimi i protestuesve ka vijuar në disa segmente të qendrës së Tiranës, ndërsa tubimi mbetet në zhvillim e sipër.

![;protesta]](https://tempull.com/wp-content/uploads/2026/06/protesta-2.png)












