Aksi nacional Tepelenë–Gjirokastër është bllokuar këtë të hënë si pasojë e një rrëshqitjeje masive dheu, në vendin e njohur si “Shkalla e Zezë”.
Sipas informacioneve paraprake, një masiv shtufor ka rënë në rrugë duke penguar plotësisht qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet. Si pasojë janë krijuar radhë të gjata mjetesh dhe vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e automjeteve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë marrë masa për sigurinë dhe menaxhimin e trafikut, si edhe punonjësit e firmës kontraktore që po punojnë për largimin e inerteve dhe pastrimin e aksit rrugor.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë segment deri në normalizimin e situatës dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.













