Shqipëria dhe Mali i Zi po shihen si dy vendet e Ballkanit Perëndimor me perspektivën më të afërt për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Të dyja vendet mund të përmbyllin kapitujt e negociatave dhe të kalojnë në fazën e hartimit të traktatit të anëtarësimit.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, që u zhvillua më 23 nëntor në Athinë.

Reklame

Duke iu referuar premtimit të Bashkimit Europian në Samitin e Selanikut, 23 vite më parë, Blanar vlerësoi se rajoni po i afrohet një zhvillimi të rëndësishëm, me mundësinë që vendet e para të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e unionit.

 “Jemi tani në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria”, deklaroi Blanar.

Sipas kryediplomatit sllovak, zgjerimi i BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor do të kishte një rëndësi të veçantë për qytetarët e rajonit, pasi do të dëshmonte se perspektiva europiane nuk është thjesht një premtim, por një objektiv që mund të realizohet. Njëkohësisht, ky proces do të ndikonte në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Europë.

Në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili pritet të mbahet më 25 nëntor në Bruksel, Blanar theksoi se procesi i zgjerimit po merr gjithnjë e më shumë karakter politik. Sipas tij, përparimi i vendeve kandidate nuk varet më vetëm nga përmbushja e kritereve teknike, por edhe nga vullneti dhe konsensusi politik i vendeve anëtare.

Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm i Sllovakisë u bëri thirrje shteteve të Bashkimit Europian që të mos lejojnë që konfliktet dhe mosmarrëveshjet dypalëshe të mbartura nga e kaluara të ndikojnë në rrugëtimin europian të vendeve kandidate.

“Çështjet e ndryshme që vijnë nga e kaluara dhe që mbeten ende të pazgjidhura duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave në Bruksel. Ky është edhe qëllimi i integrimit, të forcohemi dhe të ndërtojmë një bashkësi të aftë për t’u përballur me sfida të ndryshme”, deklaroi Blanar.

Lexo edhe

Moti ndryshon të martën, kthjellime në vend dhe temperatura nën zero në juglindje

Horoskopi 24 nëntor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë

Reklame