Ky është momenti kur Refit Buzi liroi ish-partneren e tij, Rozalinda Plakën, të cilën e kishte mbajtur peng për rreth katër orë në Roskovec.
35-vjeçari e liroi të renë pas negociatave me Shefin e Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Korroveshaj. Sipas të dhënave, Buzi dhe Plaka kishin pasur një marrëdhënie prej rreth nëntë vitesh.
Në pamjet e publikuara, efektivi Korroveshaj shihet duke negociuar përmes altoparlantit me 35-vjeçarin. Ky i fundit qëndronte i ngujuar në automjet së bashku me ish-partneren.
Pas disa orësh negociata, Korroveshaj iu afrua automjetit dhe i kërkoi Buzit të mos i bënte keq vajzës.
Pjesë nga negociatat
Mariglen Korroveshaj: “Vajzës mos i bëj keq!”
Refit Buzi: “Nuk e liroj, mos u afro.”
Korroveshaj: “Do të zgjidhim gjithçka bashkë, ejani me mua!”
Buzi: “Eja merre vajzën këtu, po ta besoj ty…”
Në këto momente, Shefi i Policisë së Roskovecit iu afrua automjetit. Ai mori Rozalinda Plakën dhe e largoi nga vendi, ndërsa më pas u rikthye pranë Buzit për të vijuar negociatat.
Korroveshaj: “Gjërat do të rregullohen, lëre armën dhe eja me mua.”
Buzi: “Largohu me vajzën, ik, unë do të rri këtu! Mos u afro ose do të vras veten!”
Pas këmbënguljes së 35-vjeçarit, efektivi u largua bashkë me Rozalinda Plakën. E reja u transportua më pas me urgjencë drejt Spitalit të Fierit, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Pavarësisht negociatave të zhvilluara për disa orë, Refit Buzi nuk pranoi të dorëzohej. Ai i dha fund jetës brenda automjetit rreth orës 16:35 të së premtes.
Lexo edhe :
Rrethimi nga RENEA në Fier, vijojnë negociatat me 35-vjeçarin që dyshohet se vrau ish-vjehrrin
Prindërit e Refit Buzit rrëfejnë konfliktet para ngjarjes në Fier: “I dërgonte para nga Anglia”














