Biznesmeni Orest Sota, i arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “Aruba”, ka përfunduar në Spitalin e Burgut pasi ka shfaqur probleme shëndetësore.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shqyrtuar ankimin e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, por ka vendosur të lërë në fuqi masën “arrest në burg”.
Mbrojtja e Sotës kishte kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore dhe mungesa e provave që, sipas saj, e lidhin me aktivitetin kriminal, e justifikonin ndryshimin e masës.
Megjithatë, trupa gjykuese ka vlerësuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të Orest Sotës dhe arsyeve konkrete që kanë çuar në transferimin e tij në Spitalin e Burgut, deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare.
Sota u arrestua në kuadër të operacionit të SPAK për dosjen “Aruba”, hetim që lidhet me dyshimet për veprimtari kriminale, përfshirë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash. Hetimet vijojnë, ndërsa ndaj tij mbetet në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, ka marrë vendimin më 30 korrik 2026, pas shqyrtimit të ankimeve të personave nën hetim dhe ankuesve D.A., O.S., O.B., G.I., E.J. dhe L.B., lidhur me masat e sigurimit.
Sipas vendimit, gjykata ka vendosur miratimin e urdhrit nr. 44, datë 14.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarit Orest Sota, Dritan Aga, Edmond Jaupi dhe Orges Birçaj.
Gjithashtu, gjykata ka miratuar urdhrin nr. 46, datë 17.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin Leonard Bishaj.
Vendimi është shpallur më 30.07.2026.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përfshirë masën ndaj biznesmenit Orest Sota, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Burgut për shkak të problemeve shëndetësore.
Lexo edhe:
Rama pas takimit me Mitsotakis: Drejt një epoke të re bashkëpunimi
SPAK godet pronarin e projektit të Zvërnecit, në kërkim Artur Shehu; arrestohet Orest Sota














