Një i dënuar në IEVP Reç, Shkodër, nuk është kthyer në institucion pas përfundimit të lejes shpërblyese që i ishte dhënë.
Bëhet fjalë për Petrit Ndocin, i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje, i cili po vuante dënimin në regjimin e sigurisë së zakonshme.
Sipas njoftimit, Ndoci kishte përfituar leje shpërblyese nga data 14 gusht 2026, ora 12:30, deri më 21 gusht 2026, ora 12:30. Ai ndodhej në fshatin Rukaj, Njësia Administrative Luf, në qarkun Shkodër.
Pas përfundimit të afatit të lejes, i dënuari nuk është paraqitur për t’u rikthyer në institucion.
Familjarët: Ishte larguar nga banesa
Pas konstatimit të moskthimit në kohë, strukturat e informacionit të IEVP Reç kanë kryer verifikimet përkatëse.
Nga kontakti me familjarët është mësuar se Petrit Ndoci ishte larguar nga banesa gjatë orëve të mëngjesit.
Për rastin janë njoftuar menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ndërsa vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Policinë e Shtetit, po e ndjek rastin me prioritet.
Autoritetet kanë bërë të ditur se do të informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme.
Lexo edhe:
Konflikt në burgun 302 në Tiranë, i dënuari godet me shuplakë një të burgosur














